Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar vendosjen e një tarife shtesë prej 50% mbi importet e bakrit, duke e arsyetuar këtë masë me nevojat për mbrojtje të sigurisë kombëtare. Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 gusht, ndërsa shënjestron për herë të parë këtë metal strategjik, i cili deri më tani kishte qenë i përjashtuar nga tarifat doganore.
“Bakri është materiali i dytë më i përdorur nga Departamenti i Mbrojtjes,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke përmendur përdorimin e tij në prodhimin e gjysmëpërçuesve, avionëve, municioneve dhe qendrave të të dhënave. Ai theksoi synimin për të zhvilluar një industri të pavarur të bakrit në SHBA dhe sulmoi paraardhësin e tij demokrat, Joe Biden, duke i cilësuar politikat e tij si “budallallëqe”.
Tarifa të reja edhe ndaj Brazilit
Po të mërkurën, Trump njoftoi një tjetër masë ekonomike – vendosjen e tarifave prej 50% për importet nga Brazili, gjithashtu duke filluar më 1 gusht. Në një letër të publikuar në Truth Social dhe drejtuar presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, Trump konfirmoi këtë vendim dhe paralelisht shprehu mbështetjen e tij për ish-presidentin Jair Bolsonaro, i cili aktualisht është nën gjykim për një tentativë të dyshuar për grusht shteti.
Kërcënime ndaj BRICS dhe përplasja me Lulën
Në ditët e fundit, Trump ka kërcënuar me tarifa shtesë prej 10% ndaj vendeve të grupit BRICS, mes tyre edhe Brazilin, nëse ato ndërmarrin politika që ai i konsideron “anti-amerikane”. Reagimi i Trump erdhi pas kritikave të BRICS ndaj politikave tregtare të SHBA-së, duke rritur tensionet me bllokun ekonomik në të cilin bën pjesë edhe Rusia, Kina, India dhe Afrika e Jugut.
Presidenti Lula reagoi me tone të ashpra ndaj vendimit të Trump. Në një deklaratë për media, ai e quajti vendimin “jo serioz” dhe të papërshtatshëm për një president amerikan që, sipas tij, “kërcënon botën përmes rrjeteve sociale”.
“Nëse SHBA vendos tarifa, atëherë edhe vendet e tjera kanë të drejtë të veprojnë njësoj,” u shpreh Lula, duke e konsideruar si të papranueshme ndërhyrjen në punët e brendshme të Brazilit, veçanërisht përmes mbështetjes publike që Trump i dha Bolsonaro-s.
Analistët paralajmërojnë se përshkallëzimi i masave proteksioniste nga SHBA mund të thellojë ndarjet tregtare me vendet e BRICS-it dhe të tensionojë më tej marrëdhëniet transatlantike, veçanërisht në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe samitit të ardhshëm të BRICS, që këtë vit mbahet në Brazil.