Në një zhvillim që pritet të ndikojë ndjeshëm në zinxhirët globalë të furnizimit me materiale për bateri, Kina ka zbuluar një depozitë kolosale litiumi në provincën qendrore të Hunanit, që vlerësohet të përmbajë rreth 540 milionë ton xeheror litiumi. Zbulimi në zonën minerare të Jijiaoshan, në qarkun Linwu, sipas autoriteteve kineze, përmban rreth 1.31 milionë ton oksid litiumi, duke e pozicionuar këtë vend si një nga rezervat më të mëdha të këtij metali strategjik.
Depozitë graniti me avantazhe teknike
Sipas televizionit shtetëror CCTV, trupat minerale janë identifikuar pas disa vitesh eksplorimi nga Instituti i Anketimit të Burimeve Minerale të Provincës Hunan. Xeherori i klasifikuar si depozitë e tipit granit të ndryshuar, ka avantazhe të shumta në raport me depozitat e shëllirës, përfshirë kostot më të ulëta të përpunimit, kohë më të shpejtë nxjerrjeje dhe fleksibilitet më të madh në prodhim.
Profesori Xu Yiming nga institucioni kërkimor, theksoi se kjo pasuri minerale “do të ndihmojë ndjeshëm zhvillimin industrial të qytetit të Chenzhou”, që administron zonën e Linwusë. Zbulimi është i rëndësishëm jo vetëm për litiumin, por edhe për praninë komerciale të rubidiumit, tungstenit dhe kallajit, metale të tjera me vlerë për industrinë moderne.
Kina thellon avantazhin në litium dhe përpunimin global
Kina tashmë ka 16.5% të rezervave globale të litiumit, duke u renditur e dyta pas Kilit. Por epërsia e saj rritet ndjeshëm në përpunim: vendi kontrollon mbi 70% të kapacitetit global të rafinimit të litiumit, duke e kthyer atë në superfuqinë qendrore të prodhimit të baterive litium-jon.
Sakaq, gjeologët kinezë po vlerësojnë edhe një brez të pasur me spodumen në rajonin e Tibetit, me potencial për të shtuar deri në 30 milion ton litium të reja, çka do ta fuqizonte më tej dominimin kinez në tregun botëror.
Përballë rritjes së kërkesës së brendshme
Litiumi është kyç për automjetet elektrike (EV), sistemet e ruajtjes së energjisë dhe komunikimin mobil. Kina, që tashmë strehojnë mbi 60% të të gjitha automjeteve elektrike në botë, parashikon që deri në vitin 2030 kërkesa e brendshme për litium të dyfishohet. Në vitin 2022, Kina prodhoi 76% të kapacitetit global të baterive litium-jon, një arritje e mundësuar nga 20 vite investimesh në teknologjinë e përpunimit dhe montimit të qelizave.
Përparime edhe në metalet e rralla
Krahas litiumit, studiuesit kinezë raportojnë përparime edhe në përpunimin e rubidiumit, metal i rrallë me përdorim në teknologjitë e avancuara si orët atomike dhe qelizat diellore të gjeneratës së ardhshme. Një teknikë e re izolimi nga shëllirat, edhe në përqendrime të ulëta, përbën një hap të madh për aplikime industriale, dhe mund të zbatohet edhe në depozitën e Jijiaoshanit.
Reagimi global dhe përpjekjet për diversifikim
Zbulimi vjen në një moment kur Perëndimi po përpiqet të reduktojë varësinë nga furnizimet kineze me metale kritike. Partneriteti SHBA–BE për Lëndët e Para Kritike është ndër përpjekjet për të ndërtuar zinxhirë alternativë furnizimi, por Kina vazhdon të ruajë epërsinë përmes investimeve strategjike dhe zbulimeve të reja si ky në Hunan.
Në mars të këtij viti, Korporata Kombëtare Kineze e Naftës në Det të Hapur zbuloi edhe një fushë nafte prej 110 milionë tonësh në Detin e Kinës Jugore, duke e forcuar më tej strategjinë e Pekinit për pavarësi energjetike dhe lëndë të para.
Perspektiva për Jijiaoshanin
Depozita e litiumit në Jijiaoshan pritet të kalojë shpejt nga faza e eksplorimit në studime fizibiliteti, falë strukturës së favorshme gjeologjike dhe infrastrukturës ekzistuese. Nëse minierat komerciale nisin sipas pritjeve, kjo depozitë mund të bëhet një pikë kyçe në dominimin kinez të zinxhirit të litiumit – nga nxjerrja dhe rafinimi, deri tek paketimi i baterive që përdoren në gjithçka: nga telefonat inteligjentë e deri te autobusët elektrikë.
Zbulimi i fundit i Kinës përforcon pozitat e saj strategjike në një industri globale në zgjerim të shpejtë dhe përfaqëson një sfidë serioze për përpjekjet perëndimore në sigurimin e burimeve të pavarura të metaleve kritike.