Bashkimi Evropian ka vendosur të pezullojë përkohësisht kundërmasat doganore ndaj Shteteve të Bashkuara, në pritje të një zgjidhjeje të negociuar për tensionet tregtare të shkaktuara nga linja e ashpër e presidentit amerikan Donald Trump. Masat që pritej të hynin në fuqi sot janë shtyrë deri më 1 gusht, me Brukselin që synon të shmangë përshkallëzimin e luftës tregtare.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se Bashkimi Evropian nuk dëshiron hakmarrje, por një zgjidhje pragmatike. “Shtetet e Bashkuara na kanë paraqitur një listë masash që do të hyjnë në fuqi në mungesë të një marrëveshjeje. Për këtë arsye, kemi vendosur të shtyjmë kundërmasat tona deri në fillim të gushtit”, tha ajo.
Coreper, debat mes dy modeleve: Kinez apo britanik?
Gjatë mbledhjes emergjente të Coreper-it (Komiteti i Ambasadorëve të 27 vendeve anëtare), është diskutuar drejtimi që duhet të marrë BE-ja. Në tavolinë janë dy modele:
-
Modeli kinez, i propozuar nga Franca dhe Spanja, nënkupton përgjigje të menjëhershme dhe të ashpër ndaj tarifave të Trumpit – “sy për sy, dhëmb për dhëmb”.
-
Modeli britanik, përkundrazi, mbështet durimin strategjik, duke pritur që Shtëpia e Bardhë të zbusë qëndrimin e saj, edhe pse kjo sjell humbje ekonomike afatshkurtra.
Debati është i nxehtë, veçanërisht pas dështimeve të mëparshme për të arritur marrëveshje dypalëshe mes vendeve anëtare dhe SHBA-së, sidomos në sektorin automobilistik.
Tarifat pezull, por paketa e dytë prej 70 miliardë eurosh është gati
Ndërkohë që paketa e parë e tarifave europiane, me vlerë 21 miliardë euro, është pezulluar, Komisioni Evropian ka përgatitur një paketë të dytë masash prej 70 miliardë eurosh, që do të aktivizohet nëse negociatat dështojnë.
Komisioneri për Tregtinë, Maros Sefcovic, pritet t’ua paraqesë sot homologëve të tij këtë plan rezervë, duke lënë të hapur mundësinë e një takse për gjigantët e internetit (web tax) dhe aktivizimit të mekanizmave të mbrojtjes tregtare vitin e ardhshëm.
Marrëveshjet me Azinë, kundërpeshë për SHBA-në
Von der Leyen e sheh forcimin e lidhjeve tregtare me Kinën, Indinë, Vietnamin dhe Indonezinë si pjesë kyçe të strategjisë për të zbutur ndikimin e Trumpit në tregtinë globale. Takimi i planifikuar më 24 korrik në Pekin me Presidentin Xi Jinping shihet si një mundësi për të balancuar pasojat e politikave të Trump.
Brukseli synon marrëveshje deri më 1 gusht
Brukseli shpreson që në gjashtëmbëdhjetë ditët e ardhshme të arrijë një marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, nëse negociatat dështojnë, atëherë BE do të detyrohet të zgjedhë: të ndjekë modelin kinez të konfrontimit apo të ruajë qëndrimin britanik të durimit.
Për momentin, Presidentja von der Leyen ka zgjedhur të fitojë kohë, ndërsa e mban të hapur mundësinë për të gjitha opsionet – duke e lënë çështjen e tarifave si një nga sfidat më të nxehta të muajve të ardhshëm për politikën tregtare evropiane.