Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka vendosur të ulë dënimin e Pjetër Shalës nga 18 në 13 vjet burgim, pasi ka konstatuar shkelje në aktgjykimin fillestar të Gjykatës Themelore.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shpall fajtor në korrik të vitit 2024 për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në vitin 1999 në Fabrikën e Metalit në Kukës, në pjesën veriore të Shqipërisë.
Çfarë përmbante aktakuza?
Sipas Prokurorisë së Specializuar, Shala dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së kishin ndaluar dhe keqtrajtuar persona të dyshuar për bashkëpunim me forcat serbe, si dhe civilë që nuk kishin marrë pjesë aktive në luftë. Viktimat ishin subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike, përfshirë kërcënime me vdekje, poshtërime dhe ngacmime.
Shala u shpall i pafajshëm për akuzën e trajtimit çnjerëzor, por u urdhërua të paguajë 208 mijë euro si kompensim për tetë viktima. Megjithatë, vendimi për këtë kompensim nuk u shqyrtua në këtë aktgjykim të Apelit.
Mbrojtja kundërshton, por Apeli refuzon shumicën e pretendimeve
Ekipi mbrojtës i Shalës kishte apeluar si aktgjykimin penal ashtu edhe urdhrin për kompensimin financiar, por Paneli i Apelit rrëzoi shumicën e pikave të ankesës. Ndërhyrja e vetme ishte ulja e dënimit në 13 vjet, pas konstatimit të disa shkeljeve në vendimin fillestar të gjykatës.
Gjykata Speciale – për çfarë ekziston?
Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale në Hagë, funksionojnë sipas ligjeve të Kosovës, por janë të përbëra nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë. Kjo gjykatë u themelua në vitin 2015, për të hetuar krimet e pretenduara të kryera nga ish-anëtarë të UÇK-së gjatë periudhës janar 1998 – dhjetor 2000.
Selia e saj ndodhet në Hagë, për shkak të shqetësimeve për mungesën e pavarësisë së sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe për sigurinë e dëshmitarëve, raporton Radio Evropa e Lirë.
Gjykimet e deritanishme dhe proceset në vazhdim
Deri më tani, Specialja ka dhënë vetëm dy aktgjykime për krime lufte – ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës – si dhe dy për pengim të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.
Aktualisht është duke vazhduar procesi më i ndjekur publikisht, ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, si dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Vendimi për Pjetër Shalën konfirmon se Gjykata Speciale mbetet aktive dhe vendimtare në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me periudhën e luftës në Kosovë, pavarësisht debatit të vazhdueshëm në opinionin publik për rolin dhe legjitimitetin e saj.