Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mirëpritur mbrëmjen e djeshme në aeroportin e Rinasit Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Muhammed Bin Zayed Al Nahyan, të cilin e cilësoi si një “mik të vjetër dhe të shtrenjtë të popullit shqiptar”.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Rama shkroi:
“MIRËMËNGJES 😊 dhe me mbërritjen mbrëmë në Shqipëri të një miku të vjetër e të shtrenjtë të popullit shqiptar, këtej e andej bjeshkëve, ju uroj një ditë të mbarë✋”.
Pas pritjes zyrtare në aeroport, dy liderët zhvilluan një takim në ambientet e Kryeministrisë, ku diskutuan për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara.
Fokus në sektorët strategjikë
Gjatë bisedimeve, u theksua rëndësia e zhvillimit të bashkëpunimit në fusha të rëndësishme si ekonomia, tregtia, energjia e rinovueshme, siguria ushqimore dhe teknologjia. Kryeministri Rama shprehu bindjen se vizita e lartë zyrtare do të kontribuojë në ndërtimin e rrugëve të reja të bashkëpunimit dhe në avancimin e ambicieve të përbashkëta për zhvillim.
Dy liderët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe globale, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe diplomacisë në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Ata theksuan domosdoshmërinë për bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar, me qëllim promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në nivele të ndryshme.
Vizita e Presidentit Sheikh Muhammed Bin Zayed në Shqipëri shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe dhe konfirmon interesin e ndërsjellë për një partneritet strategjik mes dy vendeve.