Dogana e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një zyrtari doganor dhe të një shoferi transportues, pas zbulimit të një tentative për kontrabandim mallrash të dyshuara si të falsifikuara në Pikën Kufitare të Vërmicës.
Në kuadër të një plani operativ të Njësive Antikontrabandë, janë identifikuar mallra – konkretisht mbathje sportive me marka të mbrojtura – që po tentohej të futeshin në territorin e Kosovës pa kontrollin e rregullt doganor dhe pa pagesën e detyrimeve doganore. Hetimet e mëvonshme kanë zbuluar se zyrtari doganor kishte lejuar kalimin e mallit, duke dështuar në përmbushjen e detyrave të tij ligjore.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë:
-
Zyrtari doganor për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”;
-
Shoferi i automjetit transportues për veprat penale “Kontrabandim i mallrave” dhe “Shmangie nga pagesa e detyrimeve doganore”.
Dogana e Kosovës thekson përkushtimin e saj për luftimin e çdo forme të kontrabandës dhe abuzimit me detyrën zyrtare, duke garantuar mbrojtjen e tregut të brendshëm dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.