Arsenal ka zyrtarizuar sot transferimin e Noni Madueke, duke i dhënë fund spekulimeve që qarkullonin javëve të fundit. Futbollisti 23-vjeçar i kombëtares angleze është prezantuar me fanellën e re në “Emirates Stadium”, ku do të mbajë numrin 20.
Madueke i ka dhënë lamtumirën Chelseat pas vetëm një viti, transferim ky që nuk kaloi pa polemika, pasi largimi i tij nga “Bluve të Londrës” u shoqërua me reagime të shumta nga tifozët.
Kartoni i tij i kushtoi Arsenalit plot 52 milionë paund, një shifër që ka ngjallur kritika në mesin e tifozëve të “Topçinjve”, të cilët janë shprehur të pakënaqur me politikën e klubit që vazhdon të afrojë lojtarë nga rivalët e qytetit, shpeshherë edhe emra që nuk konsiderohen si përforcime të nivelit të lartë.
Kjo është goditja e katërt e merkatos verore për Arsenalin, pas afrimeve të portierit Kepa Arrizabalaga, mesfushorit Martin Zubimendi dhe Kristian Norgaard.
Madueke ka një karrierë interesante pas vetes. Ai është rritur në akademitë e Crystal Palace dhe Tottenham, përpara se të shpërthente te PSV Eindhoven në Holandë, ku spikati me paraqitjet e tij dhe u transferua te Chelsea në vitin 2023.
Me kalimin te Arsenali, Madueke kompleton një tjetër kapitull në karrierën e tij, duke u bërë pjesë e katërt e një klubi londinez, ndërsa pritet të shtojë konkurrencën në repartin ofensiv të skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta.