Me gjithë afrimin e afatit përfundimtar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, takimi i radhës ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk prodhoi asnjë marrëveshje. Burime të mirëinformuara kanë konfirmuar për “Nacionale” se palët mbeten në pozicionet e njëjta dhe se diskutimet do të vazhdojnë në ditët në vijim.
“Nuk ka marrëveshje në takimin që është mbajtur sot,” ka deklaruar burimi për “Nacionale”, duke shtuar se “VV-ja dhe Nisma vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet që kanë pasur. Bisedimet ndërmjet dy subjekteve politike do të vazhdojnë.”
Këto zhvillime ndodhin vetëm pak ditë para përfundimit të afatit 30-ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit. Seanca konstituive, e nisur më 15 prill, është tentuar të mbahet tashmë 46 herë pa sukses, ndërsa sot deputetët do të bëjnë përpjekjen e 47-të.
Në prill të këtij viti, Kurti dhe Limaj kishin zhvilluar një takim joformal, ku sipas Limajt ishte arritur një dakordim gojor që posti i kryetarit të Kuvendit t’i takonte Nismës. Ai kishte treguar këtë marrëveshje në një intervistë për emisionin “Pressing”, duke theksuar se Nisma nuk kishte kërkuar të jetë pjesë e Qeverisë, por vetëm të ketë rol në Kuvend.
Sipas Limajt, qëndrimi i tij ishte i qartë: “Partneritet në nivel Kuvendi ishte që të jem kryetar i Kuvendit, si dhe në paketë ligjore. Ne në Kuvend mund të japim shërbimet tona.” Ai theksoi se marrëveshja me Kurtin nuk ishte e shkruar, prandaj nuk ishte ndier i tradhtuar pas propozimit të Glauk Konjufcës nga VV për këtë post.
Nga ana tjetër, kryetari i VV-së, Albin Kurti, kishte mohuar të ketë premtuar ndonjë post për Limajn. Në një intervistë për RTK-në, ai tha se takimet me Limajn kishin ndihmuar në ndërtimin e besimit dhe vullnetit për bashkëpunim, por nuk kishin përfunduar me një marrëveshje konkrete, veçanërisht jo për postin e kryeparlamentarit.
Kurti theksoi gjithashtu se koalicioni i tij me Guxo-n dhe Alternativën ka më shumë deputetë sesa Nisma, duke e konsideruar të padrejtë t’ia jepte postin e kryetarit të Kuvendit një partie me vetëm tre deputetë.
Situata mbetet e paqartë dhe presioni kohor është në rritje, ndërkohë që vendi ende nuk ka një Kuvend të konstituuar, çka e komplikon edhe më tej procesin e formimit të institucioneve të reja.
Burimi: Nacionale.com