Kampioni ukrainas i peshave të rënda, Oleksandër Usik, ka ruajtur dominimin absolut në ring duke triumfuar bindshëm ndaj Daniel Dubois, në një duel të shumëpritur që përfundoi me nokaut teknik në raundin e pestë.
Pasi kishte mposhtur britanikun Dubois edhe në vitin 2023 mes polemikave për një goditje të diskutueshme poshtë brezit, këtë herë Usik nuk la vend për dilema. Me një paraqitje të jashtëzakonshme, ai e kontrolloi plotësisht luftën që nga raundi i katërt, për të rrëzuar kundërshtarin dy herë radhazi në të pestin, duke detyruar gjyqtarin të ndalë meçin dhe t’i japë fitoren me nokaut teknik 38-vjeçarit ukrainas.
Kjo shënon herën e tretë në karrierë që Usik arrin të unifikojë të gjithë titujt botërorë të peshave të rënda, një arritje e pashembullt në historinë moderne të këtij sporti. Me këtë fitore, Usik rikonfirmon veten si një nga boksierët më dominues të dekadës dhe një figurë historike në botën e boksit profesionist.