Futbolli shqiptar rikthehet në arenën ndërkombëtare këtë të enjte, ku disa prej përfaqësueseve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi zhvillojnë ndeshjet e para në turin e dytë kualifikues të UEFA Conference League. Prishtina do të jetë skuadra e parë që zbret në fushë, ndërsa më pas radhën e marrin Vllaznia, Dinamo dhe Egnatia.
Prishtina përballet me Larne në Irlandën e Veriut
Kampionët e Kosovës, Prishtina, e nisin mbrëmjen europiane në orën 21:00, me përballjen ndaj skuadrës Larne në Irlandën e Veriut. Ekipi nga KPrishtina kërkon të shfrytëzojë eksperiencën ndërkombëtare për të siguruar një rezultat pozitiv, që do ta vendoste në pozita të favorshme për ndeshjen e kthimit në “Fadil Vokrri”. Prishtina shfaqet me ambicie dhe synim të qartë për kalimin në turin tjetër.
Vllaznia ndeshet me Vikingur Reykjavik në “Loro Boriçi”
Në të njëjtën mbrëmje, në orën 20:30, Vllaznia pret në shtëpi ekipin islandez Vikingur Reykjavik. Pas kualifikimit ndaj BFC Daugavpils në turin e parë, shkodranët rikthehen para tifozëve të tyre, të cilët nuk patën mundësi të ndjekin skuadrën në raundin paraprak. Trajneri Edi Martini ka paralajmëruar se përballja do të jetë e vështirë, pasi kundërshtari ka cilësi dhe eksperiencë në garat europiane.
Dinamo udhëton në Andorra për sfidën ndaj Atletic Escaldes
Skuadra e Dinamos do të luajë në transfertë kundër Atletic Escaldes në Andorra, me ndeshjen që nis në orën 16:00. Të besuarit e trajnerit Ilir Daja, me disa afrime të reja në përbërje, shfaqen të vendosur për të treguar veten në arenën ndërkombëtare. Blutë synojnë një paraqitje pozitive dhe një rezultat që do të shërbente si bazë për ndeshjen e kthimit në Tiranë.
Egnatia përballet me Dinamon e Minskut në Hungari
Ndërkohë, kampionët e Shqipërisë, Egnatia, do të sfidojnë Dinamon e Minskut në një përballje që zhvillohet në fushë neutrale, në Mezokovesd të Hungarisë, në orën 20:45. Për shkak të ndalesave të UEFA-s ndaj Bjellorusisë, ndeshja nuk mund të luhej në territorin bjellorus. Pas zhgënjimit në Champions League, Egnatia synon të rehabilitohet në Conference League dhe të dëshmojë vlerat që i dhanë titullin kampion.
Edhe Decic në garë: përballje me Rapid Wien
Në të njëjtën orë me Prishtinën (21:00), Decic i Tuzit pret në Mal të Zi gjigantët austriakë të SK Rapid Wien. Pavarësisht vështirësisë së kundërshtarit, malazezët me gjak shqiptar e shohin këtë përballje si një mundësi për të treguar karakter dhe shpirt gare në shtëpi.
Kjo mbrëmje e pasur me përfaqësues nga trojet shqiptare premton emocione dhe sfida të forta, teksa ekipet synojnë të ngrenë lart flamurin kuqezi në arenën europiane.