Ekspertët e sigurisë ndërkombëtare po paralajmërojnë për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit mes Rusisë dhe shteteve evropiane të NATO-s në rajonin e Detit Baltik gjatë muajve të ardhshëm. Një ndër shqetësimet kryesore mbetet aktiviteti i të ashtuquajturës “flota në hije” e Rusisë, e cila po ndjek rute të fshehta për eksportin e naftës, duke anashkaluar sanksionet e Bashkimit Evropian.
Sipas Helge Adrians, ekspert në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) në Berlin, flota në hije është në qendër të vëmendjes së Marinës Ruse në Detin e Veriut dhe Detin Baltik. Ai paralajmëron se një përshkallëzim i mëtejshëm në këtë zonë është i pashmangshëm, sidomos pas paketës së fundit të sanksioneve të BE-së ndaj gazit dhe naftës ruse.
Në të njëjtën kohë, Rusia po vijon të forcojë praninë ushtarake në rajonin baltik, përfshirë edhe ujërat e brendshme të Liqenit Ladoga, pranë Shën Petersburgut.
Danimarka përballë “flotës në hije”
Danimarka, ndër vendet që ndodhet në vijën e parë të kësaj tensioni detar, ka intensifikuar ndjeshëm kontrollet ndaj cisternave që dyshohet se janë pjesë e flotës në hije ruse. Autoriteti Detar Danez (DMA) ka konfirmuar për DW se që nga shkurti janë kontrolluar mbi 60 cisterna pranë qytetit Skagen. Dy prej tyre janë ndaluar për shkelje të standardeve të sigurisë, mbrojtjes së mjedisit dhe të drejtave të ekuipazhit.
Sipas DMA-së, këto veprime janë në përputhje me sanksionet e BE-së ndaj industrisë së energjisë së Rusisë, e cila financon luftën në Ukrainë. Megjithatë, ekspertët ligjorë theksojnë se manovrimi në kuadër të së drejtës ndërkombëtare detare është i ndërlikuar.
Christian Bueger, profesor në Universitetin e Kopenhagës, shpjegon për DW se një anije mund të ndalohet vetëm nëse dyshohet se është pa flamur ose kur identiteti i saj ndryshon në mënyrë të dyshimtë, si për shembull ndërrimi i flamurit nga panamez në liberian brenda një kohe të shkurtër.
Rusia reagon me paralajmërime
Në fund të majit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia do të “mbrojë transportin detar me të gjitha mjetet ligjore”, duke përfshirë mundësinë e vendosjes së forcave të sigurisë në anije ruse. Moska i cilëson kontrollet daneze si provokime të qëllimshme.
Eksperti Bueger paralajmëron për një “dinamikë provokimi” të ndërsjellë, e cila mund të përshkallëzohet përtej detit. Sipas tij, pritet një rritje e përdorimit të dronëve në këtë rajon, me potencialin për të dëmtuar infrastrukturë kritike siç janë parqet eolikë detarë.
Dronët dhe lufta e padukshme
Danimarka ka blerë 10 dronë të sofistikuar mbikëqyrës nga një prodhues amerikan, të cilët mund të pajisen me sensorë të avancuar. Bueger dhe ekipi i tij kërkimor kanë identifikuar një numër në rritje të dronëve me origjinë të paqartë në Detin Baltik, që dyshohet se vijnë nga Rusia.
“Ka shumë të ngjarë të ketë gjithnjë e më shumë incidente në muajt në vijim. Edhe dëmtimi i një strukture energjetike, si një park eolik, mund të çojë në përshkallëzim të situatës”, paralajmëron Bueger.
Europa po përballet me një sfidë të re të sigurisë në veri, teksa konflikti gjeopolitik me Rusinë po zhvendoset nga toka në det. Ekspertët kërkojnë përgatitje të strukturuar nga BE dhe NATO për të shmangur që një përplasje e ftohtë të kthehet në konfrontim të nxehtë.
Burimi: DW