Deputeti gjerman i Bundestagut, Johaness Volkmann, nipi i ish-kancelarit të njohur Helmut Kohl, ka adresuar në parlamentin gjerman çështjen e progresit të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Gjatë një deklarimi për Klan Kosova, ai vlerësoi se ndonëse janë bërë disa hapa përpara, Kosova ende ka punë për të përmbushur kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian, veçanërisht në fushat e antikorrupsionit, luftës kundër krimit të organizuar dhe ndërtimit të një qeverisjeje stabile.
“Kam përmendur në fjalimin tim Samitin e Selanikut të vitit 2003, kur liderët e BE-së premtuan një perspektivë të qartë evropiane për Ballkanin Perëndimor. Atëherë isha në shkollë fillore – kjo tregon sa e gjatë ka qenë kjo pritje,” u shpreh Volkmann.
Deputeti gjerman theksoi se përgjegjësia për avancimin drejt integrimit nuk qëndron vetëm te BE-ja dhe Gjermania, por edhe te vetë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat duhet të tregojnë përkushtim të sinqertë për zbatimin e reformave.
“Është në dorën e të dyja palëve: nga njëra anë, Evropa dhe Gjermania duhet të kenë guximin të përshpejtojnë procesin e integrimit; nga ana tjetër, vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, duhet t’i përmbushin reformat e domosdoshme për t’u bërë pjesë e familjes evropiane,” deklaroi ai.