Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, njoftoi të mërkurën se vendi i tij do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në shtator, gjatë Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ky veprim shënon një ndër hapat më të qarta të ndryshimit të qëndrimit ndërkombëtar ndaj konfliktit në Gaza dhe politikave të Izraelit në territorin e rrethuar.
Njoftimi i Carney-t pasoi një takim të posaçëm të kabinetit qeveritar ku u diskutua situata në Gaza, si dhe bisedimet me kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili një ditë më parë kishte paralajmëruar një veprim të ngjashëm nga Mbretëria e Bashkuar.
“Shkalla e vuajtjeve njerëzore në Gaza është e papranueshme,” deklaroi Carney. “Kanadaja synon të njohë shtetin e Palestinës në shtator, me kusht që Autoriteti Palestinez të mbajë zgjedhje të përgjithshme në vitin 2026, ku Hamasi nuk do të ketë rol dhe shteti palestinez të jetë i demilitarizuar.”
Carney theksoi se kjo qasje nuk është një zgjidhje e menjëhershme, por një proces që kërkon kohë dhe angazhim serioz për ndërtimin e një shteti demokratik dhe të qëndrueshëm.
Valë ndërkombëtare e njohjes
Vendimi i Kanadasë vjen vetëm disa ditë pas njoftimit të Presidentit francez Emmanuel Macron, i cili tha se Franca do të jetë fuqia e parë perëndimore që njeh një shtet palestinez në shtator. Macron ka nisur një ofensivë diplomatike për të bindur edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian t’i bashkohen kësaj nisme.
Po ashtu, të martën, kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se Britania do ta njohë shtetin palestinez përpara seancës së ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përveç nëse Izraeli ndërmerr hapa konkretë për një armëpushim, për përmirësimin e gjendjes humanitare dhe për rifillimin e procesit të paqes.
“Po bashkëpunojmë me vende të tjera për të ruajtur gjasat e një zgjidhjeje me dy shtete,” shtoi Carney. “Nuk mund të lejojmë që realiteti në terren – dhuna, vendbanimet dhe shpronësimet – ta bëjnë të pamundur këtë zgjidhje.”
Refuzimi i Izraelit
Qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu vazhdon të kundërshtojë zgjidhjen me dy shtete, duke u bazuar në arsye të sigurisë dhe qëndrime nacionaliste. Megjithatë, presioni ndërkombëtar për një qasje të re ndaj çështjes palestineze po rritet ndjeshëm, sidomos në sfondin e katastrofës humanitare në Gaza.
Njohja e mundshme e shtetit të Palestinës nga Kanadaja përbën një precedent të rëndësishëm në politikën globale dhe sinjalizon një largim nga qëndrimi tradicional i vendeve perëndimore në këtë çështje.