Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David A. Baker, duke e cilësuar këtë vizitë si një dëshmi të thellimit të bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.
“Kur Amerika qëndron përkrah nesh, Kosova është më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar”, deklaroi Osmani pas takimit.
Ajo theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për forcimin e partneritetit me SHBA-në në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, të cilin e cilësoi si një mundësi me përfitime të ndërsjella.
Presidentja gjithashtu ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik i pandryshueshëm për vendin dhe se mbështetja e SHBA-ve në këtë proces është e pazëvendësueshme dhe jetike për avancimin e mëtejshëm të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.