Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka ritheksuar sot besimin e saj në rolin e Gjykatës Kushtetuese si garant i rendit demokratik dhe funksionimit të institucioneve, duke kërkuar një vendim të drejtë që do t’i hapte rrugë zhbllokimit të situatës politike në vend.
Përmes një reagimi zyrtar, LDK-ja thekson se ka dorëzuar në Kushtetuese një lëndë që, sipas saj, dëshmon një fakt të pakontestueshëm: subjekti politik që ka dalë i pari në zgjedhjet e fundit nuk ka përmbushur obligimet kushtetuese gjatë seancës konstituive të Kuvendit, duke refuzuar të propozojë një kandidat për Kryetar të Kuvendit.
Sipas LDK-së, në vend të zbatimit të rendit kushtetues, subjekti fitues ka kërkuar plot 48 herë votime jashtë rendit të ditës, duke e kthyer procesin në një bllokadë të qëllimshme, gjë që sipas partisë, tregon mungesë vullneti dhe kapaciteti për të udhëhequr procesin.
“E drejta për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit duhet t’i kalojë shumicës parlamentare, nëse subjekti i parë dështon të ushtrojë këtë të drejtë”, thuhet në deklaratën e LDK-së, duke iu referuar praktikës dhe vendimeve të mëhershme të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas partisë opozitare, demokracia funksionon mbi bazën e shumicës dhe përgjegjësisë politike, jo mbi bllokadën institucionale dhe vonesat procedurale.
LDK-ja i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që të japë një vendim që i jep fund ngërçit dhe i hap rrugë shumicës parlamentare për të propozuar Kryetarin e Kuvendit dhe për të rikthyer funksionalitetin institucional në vend.
“LDK-ja mbetet e përkushtuar për ruajtjen e rendit kushtetues dhe për një qeverisje që reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, përfundon reagimi.