Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarës D.S.-A., nga komuna e Prishtinës, e cila dyshohet për kryerjen e veprës penale të mashtrimit, në kundërshtim me nenin 323 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 korrik 2025, në Ferizaj, e dyshuara me paraqitje të rreme të fakteve dhe me qëllim përfitimi pasuror për vete, i ka shkaktuar dëmtuarit J.Sh. një dëm material në vlerë prej 35 mijë euro.
Në detajet e hetimit thuhet se e dyshuara kishte arritur marrëveshje për blerjen e një veture të markës “VW Tiguan” përmes rrjetit social “Facebook”, me pagesë të ndarë në dy këste — 10 mijë euro deri më 31 korrik dhe 25 mijë euro deri më 10 shtator. Por vetëm dy ditë më pas, ajo kishte kontaktuar një auto-sallon në Ferizaj, duke i ofruar për shitje të njëjtën veturë për shumën prej 24 mijë euro, marrëveshje e realizuar më 1 gusht.
Nga kjo marrëveshje, e dyshuara kishte pranuar 15 mijë euro në para të gatshme dhe 9 mijë euro përmes transferit bankar, ndërkohë që vetura u sekuestrua nga Njësia e Hetimeve në Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar për mashtrim.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, e dyshuara ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh që nga data 5 gusht 2025, ndërkohë që Prokuroria ka kërkuar paraburgim për të, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme procedurale.