Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takime të ndara lamtumirëse Ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen, dhe Drejtoreshën e misionit të USAID-it në Kosovë, Eileen Devitt, të cilët po përmbyllin mandatet e tyre në vendin tonë.
Në takimin me ambasadorin finlandez, Kurti dhe Nissinen reflektuan mbi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik e tregtar, përmes Odës Nordike të Tregtisë, e cila u hap në Kosovë në vitin 2023. Gjithashtu, u përmendën vizitat e ndërsjella institucionale, si ajo e ministres së Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.
Kryeministri e falënderoi ambasadorin për angazhimin e tij në forcimin e raporteve dypalëshe dhe për mbështetjen që Finlanda i ka dhënë Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike. Palët shprehën vullnetin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Ndërkohë, në një tjetër takim lamtumirës, Kurti priti të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, znj. Anu Prattipati, e shoqëruar nga drejtoresha e USAID-it në Kosovë, znj. Eileen Devitt.
Diskutimet u fokusuan në zhvillimet aktuale politike në vend dhe në çështjet e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Kurti falënderoi znj. Devitt për kontributin e saj të çmuar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, duke i uruar suksese në angazhimet e ardhshme profesionale.
Këto takime nënvizuan edhe njëherë marrëdhëniet e ngushta dhe mbështetjen që Kosova gëzon nga partnerët e saj strategjikë, SHBA dhe Finlanda.