Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia Rajonale në Prizren, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Drejtorinë Rajonale të Policisë dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore, ka zhvilluar më 8 gusht një aksion inspektimi në 21 parkingje të qytetit të Prizrenit.
Aksioni, i cili kishte për qëllim parandalimin dhe hetimin e veprës penale “Shmangie nga tatimi”, ka rezultuar me evidentimin e disa shkeljeve:
-
Mungesë e lëshimit të kuponëve fiskalë në të gjitha parkingjet e kontrolluara;
-
9 punëtorë të paregjistruar;
-
5 parkingje pa arka fiskale;
-
2 biznese të paregjistruara;
-
2 biznese pa kontrata qiraje.
Sipas autoriteteve, për çdo rast të evidentuar, inspektorët e ATK-së do të ndërmarrin veprimet procedurale sipas kompetencës, ndërsa Policia e Kosovës do të vazhdojë procedurat ligjore lidhur me veprën penale të shmangies nga tatimi.
Policia ka theksuar përkushtimin e saj për të luftuar krimet ekonomike dhe ka apeluar tek qytetarët dhe bizneset që të respektojnë ligjin, duke kontribuar për një ambient të drejtë dhe të ligjshëm për të gjithë.