Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka raportuar se deri në orën 22:00 të së dielës janë regjistruar gjithsej 74 vatra zjarri në territorin e vendit. Nga këto, 22 mbeten aktive, ndërsa 52 janë lokalizuar.
Situata më e rënduar raportohet në fshatin Kçiq i Vogël të komunës së Mitrovicës, ku është kërkuar ndihma e KFOR-it, Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës (PK). Në operacion janë angazhuar njësitë e Mitrovicës Jugore dhe Veriore, Zubin Potokut, Prishtinës, Vushtrrisë, si dhe Njësia Nacionale për Shuarjen e Zjarreve nga Toka (GFFF).
Komunikimi ndërmjet Qendrës Operative të AME-së, Qendrave Operative Emergjente (QOE-112) dhe Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH) po zhvillohet pa ndërprerje, me ndërhyrje sipas prioriteteve të përcaktuara.
AME shpreh mirënjohje për përkushtimin e zjarrfikësve dhe angazhimin e tyre në terren, duke theksuar se menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të plotë me të gjitha njësitë relevante. Qendra Operative e Agjencisë mbetet e angazhuar në ofrimin e informacionit të saktë dhe të kohës për institucionet dhe publikun.