Një organizatë e fuqishme kriminale shqiptare e trafikut të kokainës, e drejtuar nga Franc Çopja (i njohur edhe si Franc Gergely) dhe Ervis Çela, ka qarkulluar miliona euro nga aktiviteti i paligjshëm, të cilat shpeshherë fshiheshin në mënyra të pazakonta. Sipas dosjes së SPAK prej 282 faqesh, të siguruar nga Report Tv, bisedat e përgjuara në aplikacionin e koduar Sky ECC tregojnë se eurot groposeshin poshtë rrënjëve të ullinjve në Shqipëri.
Në një komunikim të dhjetorit 2020, Ervis Çela i shkruan Çopjës:
“Kam 200 ullinj në mal, duhet fut naj qyp atyre. Se ullijt rrojnë shumë.”
Ndërsa Çopja e këshillon:
“Mos fut lek n’ tokë, kthej në flori… Se t’ prishen.”
Sipas SPAK, shumat e mëdha të parave transportoheshin nga jashtë në Shqipëri, ku fsheheshin në vende të improvizuara, ndërsa Çopja këmbëngulte për t’i kthyer në lingota ari për t’i ruajtur nga dëmtimi.
Përgjimet zbulojnë se vetëm në një rast u groposën 6 milionë euro, ndërsa shumat e akumuluara kapnin mbi 100 milionë euro. Në biseda përmenden edhe plane për blerjen e arit me 20–30 kg në ditë, deri në arritjen e mbi 1 ton.
Megaoperacioni i SPAK, në bashkëpunim me Europol dhe agjenci të tjera ligjzbatuese europiane, çoi në arrestimin e 10 personave dhe shpalljen në kërkim të 6 të tjerëve. Midis të arrestuarve janë edhe:
-
Albin (Defrim) Çela
-
Petrit Lakatos (Petrit Sulejmani)
-
Renato Musaku
-
Gert Çerma
-
Marenglen Kamami
-
Elidon Çela
Gjykata e Posaçme ka vendosur arrest me burg për shumicën e të dyshuarve, përveç Riza Çelës, i cili është në “arrest shtëpie”, dhe dy shoferëve të autobusëve, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa, që akuzohen për transportimin e parave.
Franc Çopja ishte arrestuar më herët në Belgjikë, ku vijonte të drejtonte aktivitetin kriminal.
Burimi: Report Tv