Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë bërë të ditur se gjatë 12 orëve të fundit në vend janë regjistruar gjithsej 72 vatra zjarri. Nga to, 11 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 61 janë lokalizuar falë ndërhyrjes së Njësive të Zjarrfikësve dhe strukturave të tjera mbështetëse.
Menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të ngushtë me Njësitë e Zjarrfikjes, Qendrat Operative 112 dhe Policinë e Kosovës.
Sipas njoftimit, situata më e rënduar është paraqitur në Komunën e Kamenicës, konkretisht në fshatin Tugjevc dhe fshatin Gmicë, ku në vendngjarje ka qenë i pranishëm edhe Drejtori Ekzekutiv i AME-së për të ndjekur nga afër zhvillimet. Për këtë zonë është bërë kërkesë për angazhim të KFOR-it që të ndërhyjë nga ajri për shuarjen e zjarrit.
AME/MPB ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e Zjarrfikësve, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, KFOR-it, komunave dhe qytetarëve që kanë kontribuar në menaxhimin e situatës.