Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar të martën raportin e ri vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ku për Kosovën theksohet se gjatë vitit 2024 nuk ka pasur ndryshime të rëndësishme në situatë.
Raporti vlerëson se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të besueshëm, por jo gjithmonë të qëndrueshëm, në identifikimin, hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e zyrtarëve të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut.
Në përmbledhje thuhet se nuk janë evidentuar shkelje të rënda dhe të besueshme të të drejtave të njeriut gjatë vitit të kaluar.
Në dokument përmendet edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili ka raportuar se shpeshherë ka qenë shënjestër e fushatave të shpifjeve për shkak të mbrojtjes së gazetarëve dhe mediave. Sipas AGK-së, gjatë vitit janë shënuar dhjetëra raste kur gazetarët janë sulmuar fizikisht ose verbalish nga zyrtarë qeveritarë, liderë politikë, stafi gjyqësor, përfaqësues të interesave biznesore, persona të dyshuar për krim, protestues dhe grupe fetare.
Po ashtu, janë raportuar edhe dëmtim i pajisjeve të gazetarëve dhe sulme kibernetike ndaj mediave në vend.