Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka prezantuar sot listën e kandidatëve të saj për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke garuar në gjithsej 31 komuna të vendit.
Në këtë garë, LDK do të paraqitet me 28 kandidatë për kryetarë komunash dhe me 839 kandidatë për asambletë komunale. Sipas subjektit politik, kandidatët e propozuar karakterizohen nga integriteti, përvoja dhe një vizion i qartë për zhvillimin e komunave, duke reflektuar angazhimin për qeverisje të përgjegjshme, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.
LDK thekson se synon ndërtimin e institucioneve të forta, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për çdo qytetar. “Ky është një vizion që shkon përtej të zakonshmes dhe synon ndryshim e zhvillim afatgjatë,” thuhet në njoftim.
Partia u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë proces, duke e konsideruar si një hap vendimtar drejt një të ardhmeje më të mirë për vendin.