Rusia ka njoftuar kufizime mbi thirrjet zanore në aplikacionet e mesazheve WhatsApp dhe Telegram, si pjesë e masave të reja për shtrëngimin e kontrollit mbi internetin në vend. Autoritetet ruse i akuzojnë këto platforma se lehtësojnë aktivitetet kriminale dhe sabotimet, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.
Sipas të dhënave të shërbimit rus të monitorimit të medias Mediascope, masat do të prekin rreth 96 milionë përdorues mujorë të WhatsApp dhe mbi 89 milionë përdorues të Telegram në Rusi. Në një deklaratë zyrtare, rregullatori rus i medias dhe internetit, Roskomnadzor, tha se ndalimi është i nevojshëm për të luftuar mashtrimet, zhvatjet dhe aktivitetet e dyshuara terroriste.
“Mesazherët e huaj si Telegram dhe WhatsApp janë bërë mjetet kryesore për kryerjen e mashtrimeve financiare dhe përfshirjen e qytetarëve në akte sabotimi dhe terrorizmi,” thuhet në deklaratë. Roskomnadzor shtoi se kërkesat për marrjen e masave parandaluese janë injoruar nga pronarët e platformave.
Autoritetet ruse kërkojnë që shërbimet e mesazheve të ofrojnë qasje në të dhënat e përdoruesve me kërkesë të forcave të rendit. “Qasja në thirrjet zanore do të rikthehet pasi këto platforma të zbatojnë legjislacionin rus,” theksoi rregullatori.
Edhe pse zyrtarisht kufizimi prek vetëm thirrjet zanore, përdoruesit në Rusi raportuan se edhe thirrjet video janë ndikuar. Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, Moska ka zgjeruar ndjeshëm kontrollin mbi hapësirën digjitale, përfshirë miratimin e ligjeve që ndëshkojnë kërkimin e përmbajtjeve të konsideruara të paligjshme.
Në këtë kuadër, po shqyrtohet zëvendësimi i aplikacioneve ndërkombëtare me një platformë vendase të quajtur Max, për të cilën kritikët shprehin frikën se do t’i japë autoriteteve qasje të plotë në të dhënat e qytetarëve.
Një zëdhënës i WhatsApp deklaroi se aplikacioni “sfidon përpjekjet e qeverisë për të shkelur të drejtën e njerëzve për komunikim të sigurt, ndaj Rusia po tenton ta bllokojë atë për mbi 100 milionë përdorues.” Nga ana tjetër, Telegram tha për agjencinë AFP se “lufton aktivisht keqpërdorimin e platformës, duke përfshirë thirrjet për dhunë apo sabotim, dhe heq miliona përmbajtje të dëmshme çdo ditë.”
Telegram, i krijuar nga sipërmarrësi rus Pavel Durov, është përballur edhe më parë me akuza në disa vende, përfshirë Rusinë, për mungesë veprimi ndaj përdoruesve me qëllime kriminale.