Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona, mes tyre një të mitur, dhe ka sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike në një operacion të koduar “Lavazhi” të zhvilluar në Mitrovicë të Jugut.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik – Njësia në Mitrovicë të Jugut, në bashkëpunim me Njësinë e Specializuar Operative (NJSO) dhe njësinë e Forenzikës së Mitrovicës së Jugut. Aksioni u realizua në bazë të një urdhër-kontrolli të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës – Departamenti i Krimeve të Rënda.
Rezultatet e bastisjes
Gjatë kontrolleve në disa lokacione, policia ka gjetur dhe sekuestruar:
-
19 qese me substancë të dyshuar si marihuanë, peshë totale 184.8 gramë
-
25 qese me substancë të dyshuar si kokainë, peshë totale 85 gramë
-
1,080 euro para të gatshme
-
2 peshore digjitale
-
3 automjete
-
3 telefona mobilë
-
Dëshmi të tjera relevante që lidhen me veprën penale
Masat ndaj të dyshuarve
Të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit e rritur janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i mituri për 24 orë.
Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë me qëllim zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.