Aleatët evropianë të Ukrainës do të zhvillojnë sot një videokonferencë të përbashkët, një ditë para vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington, ku pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump për të diskutuar mbi procesin e paqes në Ukrainë.
Takimi virtual, i cili mbahet të dielën, është organizuar nga udhëheqësit e ashtuquajturit “koalicioni i të vullnetshmëve”, i bashkëkryesuar nga kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz. Qëllimi i këtij koalicioni është bashkimi i vendeve evropiane në mbështetje të një marrëveshjeje të drejtë paqeje për Ukrainën.
Në qendër të diskutimeve pritet të jetë kërkesa ndaj administratës amerikane për të dhënë garanci konkrete sigurie, që do të shërbenin si pengesë kundër çdo marrëveshjeje të njëanshme mes Moskës dhe Kievit. Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës do të jetë përfshirja e Zelenskyt në bisedimet e ardhshme, pas samitit mes Trump dhe Vladimir Putin të mbajtur të premten në Alaska, ku presidenti ukrainas nuk u ftua.
Në një deklaratë të përbashkët, liderët evropianë theksuan se “pa pjesëmarrjen aktive të Ukrainës, paqja e qëndrueshme nuk mund të arrihet”. Sipas tyre, sfida kryesore mbetet bindja e administratës amerikane që të ndryshojë qasjen aktuale, e cila deri më tani ka rezultuar pothuajse e pamundur.
Pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, ai ka bërë të qartë se SHBA-të nuk do të ofrojnë më “një çek të bardhë” për mbrojtjen e paqes në Evropë. Si pasojë, në mars u krijua koalicioni i të vullnetshmëve, me synimin për të mbushur boshllëkun në diplomacinë evropiane.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave amerikane, Trump ka shprehur gatishmëri për të organizuar një samit trepalësh mes tij, Zelenskyt dhe Putinit, i cili mund të mbahet javën e ardhshme, nëse takimi i së hënës në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas rezulton i suksesshëm.
Për momentin, nuk është bërë e ditur se cili prej liderëve evropianë do t’i bashkohet takimit të planifikuar për të hënën në Uashington.