Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, do të udhëtojë të hënën në Uashington për një takim vendimtar me presidentin amerikan Donald Trump, ku do të shoqërohet nga udhëheqësit më të lartë të Bashkimit Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti finlandez Alexander Stubb, konfirmuan se do t’i bashkohen vizitës si pjesë e një përpjekjeje të koordinuar për të treguar mbështetje të fuqishme për Kievin.
“Me kërkesë të Presidentit Zelenskyy, unë do t’i bashkohem takimit me Presidentin Trump dhe liderë të tjerë evropianë në Shtëpinë e Bardhë nesër”, deklaroi von der Leyen, përpara se të priste presidentin ukrainas në Bruksel për një samit virtual të Koalicionit të të Vullnetshmëve – grupim joformal i vendeve evropiane që mbështesin Ukrainën.
Nga Berlini, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, theksoi se qëllimi i vizitës është “shkëmbimi i informacionit me presidentin Trump pas takimit të tij me Vladimir Putinin në Alaska”. Ai shtoi se kancelari Merz do të nënvizojë përkushtimin e Gjermanisë për një marrëveshje të shpejtë paqeje në Ukrainë.
Takimi është thirrur nga Trump pasi ai zhvilloi bisedime me presidentin rus të premten në Alaska. Trump deklaroi se me Putinin ishin rënë dakord “për shumë pika”, por nuk paraqiti një plan konkret paqeje. Fillimisht i menduar si takim dypalësh mes Zelenskyy-t dhe Trump-it, ky samit po shihet tani nga Uashingtoni si një hap drejt mundësisë për negociata trepalëshe që do të përfshinin edhe Putinin.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga POLITICO, pjesëmarrja e liderëve evropianë ka për qëllim të garantojë se interesat e Ukrainës nuk do të kompromentohen dhe se vendi nuk do të detyrohet të heqë dorë nga territoret e pushtuara për hir të një marrëveshjeje të shpejtë paqeje.