Daut Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj politikave të qeverisë Kurti, duke e akuzuar atë për, siç e quan ai, “shkatërrim të planifikuar të Kosovës”.
Në një shkrim të publikuar në rrjete sociale, Haradinaj theksoi se anulimi i projektit për ndërtimin e një termocentrali të ri, në javën e parë të qeverisjes së Kurtit, ka sjellë pasoja të rënda ekonomike. Sipas tij, projekti ishte paraparë të përfundonte gjatë viteve 2023-2024, me kosto rreth 82 euro për megavat, ndërsa sot operatorët e paguajnë energjinë nga 198 deri në 220 euro, duke rënduar qytetarët me një faturë që shkon deri në 360 milionë euro në vit.
“Energjia është sektor i sigurisë globale, dhe blerja e saj po bëhet nëpërmes lidhjeve të shkurtra të Kurtit. Kush cenon sigurinë kombëtare ndëshkohet herët a vonë”, shkroi Haradinaj, duke paralajmëruar se qytetarët do të vuajnë pasojat e kësaj, siç e quajti, “rritjeje astronomike dhe mafioze”.
Ai shtoi se qeveria nuk ka ndërmarrë masa për shkëputjen e elektro-serverit serb, duke akuzuar Kurtin për “krim të organizuar shqiptaro-serb”, nga i cili, sipas tij, miliona euro përfundojnë në Beograd nga xhepi i varfër i Kosovës.
“Mos i mbyllni sytë, reagoni në çfarëdo forme, sepse e nesërmja mund të jetë vonë”, përfundoi Haradinaj.