Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se kjo gjykatë ka vërtetuar qëndrimin e hershëm të LDK-së se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës, duke bllokuar institucionet e vendit.
Abdixhiku ka kujtuar se Kuvendi i Kosovës për 48 herë rresht nuk arriti të zgjedhë kryesinë, duke e cilësuar këtë si një “rekord të turpshëm dhe të pashembullt në historinë parlamentare”.
“Gjykata riafirmoi qartë se as Kryesuesi më i moshuar e as partia më e madhe nuk mund të veprojnë jashtë Kushtetutës, e as të shpikin procedura që minojnë demokracinë dhe ligjshmërinë. Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit bëhet vetëm me votim të hapur, deri në tre herë për një kandidat, dhe brenda afatit kushtetues 30-ditor”, ka theksuar kreu i LDK-së.
Ai e ka cilësuar këtë vendim si një fitore të madhe jo vetëm për LDK-në, por edhe për Republikën e Kosovës dhe qytetarët që duan institucione funksionale, transparente e të ndershme.
“Mosrespektimi i këtij vendimi nuk është opsion. Nuk do ta lejojmë asnjë përbuzje të shtetit dhe Republikës. Në këtë vend, mbi Kushtetutë nuk ngrihet askush”, ka deklaruar Abdixhiku.