Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit S.S., aktualisht në ndalim 48-orësh, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile.”
Sipas Prokurorisë Speciale, S.S. dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të uniformuar dhe të mobilizuar në njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, ka marrë pjesë në vrasje të civilëve të paarmatosur në Komunën e Vushtrrisë.
Ndër veprat për të cilat akuzohet S.S., përfshihet plaçkitja dhe djegia e shtëpive, si dhe ushtrimi i dhunës fizike dhe seksuale ndaj civilëve të paarmatosur, më 6 prill 1999, gjatë një aksioni të kryer në bashkëkryerje.
Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi nga qytetarë dhe dëshmitarë të ndryshëm.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës, duke garantuar drejtësi për viktimat dhe qytetarët e prekur.