Dhomat e Specializuara të Hagës do të rifillojnë të martën punën pas pushimit veror, me konferencën përgatitore të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Avokatët e të akuzuarve njoftojnë se dëshmitarët e mbrojtjes, të cilët pritet të jenë personalitete të shquara, mund të sfidojnë dhe përmbysin dëshmitë e prezantuara nga prokuroria.
Konferenca përgatitore shënon hapin e parë drejt dëgjimit të parë të dëshmitarit të mbrojtjes, i cili pritet të fillojë më 15 shtator, ndërkohë që procesi i gjatë ka ngjallur shqetësime për mungesë transparence ndaj publikut.
Avokati i akredituar nga Dhomat e Specializuara, Skënder Musa, tha për RTK se dëshmitarët e mbrojtjes do të ndryshojnë rrjedhën e gjykimit:
“Këta dëshmitarë pres të sfidojnë të gjitha pretendimet dhe provat e falsifikuara nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj. Nuk mund të krahasohen diplomatët evropianë apo amerikanë me dëshmitarët tanë që flasin për humbje të pasurive dhe për ndalime të padrejta gjatë luftës.”
Ndërkaq, monitoruesi Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka kritikuar kohëzgjatjen e procesit dhe mungesën e informacionit për publikun:
“Trupi gjykues duhet të ketë parasysh që të akuzuarit qëndrojnë gjatë në paraburgim dhe procesi duhet të përshpejtohet, në mënyrë që të ketë një vendim sa më të shpejtë të shkallës së parë.”
Javën e kaluar, Apeli refuzoi kërkesën për lirim të përkohshëm të Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Ndërkohë, prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të ndalojë Thaçit vizitat nga familjarët dhe bashkëpunëtorët, me arsyetimin se ata mund ta informojnë atë për situatën politike dhe ekonomike në vend.
Procesi i gjatë dhe debatet rreth dëshmitarëve të mbrojtjes pritet të jenë vendimtarë për rrjedhën e gjykimit të të akuzuarve në Dhomat e Specializuara.