Një ditë pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në gazetën zyrtare, sot në orën 11:00 do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është paraparë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të organit ligjvënës.
Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se do të vazhdojë me kandidaturën e Albulena Haxhiut për postin e kryeparlamentares, ndërsa partitë opozitare kanë paralajmëruar se do të insistojnë në respektimin e Aktgjykimit të Kushtetueses.
Nga ana tjetër, Presidentja Vjosa Osmani ka apeluar tek deputetët që të tregojnë përgjegjësi dhe ka theksuar se konstituimi i institucioneve është një urgjencë shtetërore.
Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve, ndërsa e drejta e propozimit të kryetarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar. Dokumenti gjithashtu përcakton se për zgjedhjen e kryeparlamentarit do të lejohen maksimumi tre raunde votimi.