Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump ka ashpërsuar qëndrimin ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), duke vendosur sanksione ndaj katër zyrtarëve të tjerë të saj, të përfshirë në hetime që lidhen me krime të dyshuara lufte nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se Departamenti i Shtetit ka vendosur në listë të sanksioneve: Kimberly Prost (Kanada), Nicolas Guillou (Francë), Nazhat Shameem Khan (Fixhi) dhe Mame Mandiaye Niang (Senegal). Ata akuzohen për përfshirje në procedura hetimore që, sipas Uashingtonit, synojnë shtetas amerikanë dhe izraelitë “pa pëlqimin e shteteve respektive”.
Sanksionet janë vendosur në bazë të një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga Trump në shkurt, i cili autorizon masa ndëshkuese dhe ndalim hyrjeje ndaj personelit të GJNP-së. Ky urdhër ishte përdorur më herët për të sanksionuar kryeprokurorin Karim Khan dhe disa gjyqtarë të gjykatës.
Sipas dokumenteve të Departamentit të Shtetit, gjyqtari Prost është përfshirë në vendimin për të autorizuar hetimin e personelit amerikan në Afganistan, ndërsa Guillou në vendimin për lëshimin e urdhër-arresteve për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant. Dy zëvendës-prokurorët, Khan dhe Niang, sipas SHBA-së, kanë mbështetur “veprimet e paligjshme” kundër Izraelit.
Reagimet ndërkombëtare
Gjykata Ndërkombëtare Penale reagoi ashpër, duke e cilësuar vendimin e SHBA-së si një “sulm flagrant” ndaj pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm. Në një deklaratë, GJNP-ja theksoi se do të vazhdojë të përmbushë mandatin e saj pa u ndikuar nga presioni politik.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshëndeti vendimin, duke e quajtur “një hap drejt së vërtetës dhe drejtësisë” dhe një masë kundër “fushatës së rreme shpifëse ndaj Izraelit dhe forcave të tij të mbrojtjes”.
Në të kundërt, Franca i kërkoi SHBA-së të tërheqë menjëherë sanksionet, duke shprehur “mbështetjen e saj të palëkundur” për gjykatën dhe stafin e saj. “Roli i tyre është thelbësor në luftën kundër pandëshkueshmërisë,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme franceze.
GJNP-ja kishte lëshuar urdhër-arreste për Netanyahu dhe Gallant në nëntor 2024, duke i akuzuar për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit.