Komisioni i Pavarur i Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka shfuqizuar të gjitha vendimet e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) lidhur me ristrukturimin e brendshëm dhe ndryshimet e përshkrimeve të punës, duke konstatuar se procesi ishte kryer në mënyrë të jashtëligjshme.
Vendimi i datës 5 gusht 2025 i Kolegjit për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave vjen pas ankesës së paraqitur nga nëpunësi civil Besim Tahiri, i cili kontestoi transferimin e tij nga pozita e Zyrtarit të Lartë të Planifikimit të Transportit në Departamentin e Infrastrukturës Rrugore, si rezultat i një ristrukturimi të udhëhequr nga persona pa autorizim ligjor.
Kolegji ka aprovuar ankesën, duke shfuqizuar jo vetëm vendimin për transferim, por edhe raportin e punës dhe propozimet për ristrukturim të datës 3 mars 2025, si dhe çdo vendim tjetër të lidhur me këto procedura.
Sipas KPMSHCK-së, ristrukturimi u krye nën drejtimin e sekretarit të përgjithshëm në detyrë, Izedin Bytyqi, i cili ushtronte këtë pozitë për katër vite rresht, përtej afatit ligjor të përcaktuar nga Ligji Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë. Hetimi ka zbuluar se pjesa më e madhe e procedurave u udhëhoq përmes komunikimeve me email dhe ndërhyrjeve nga ushtruesit e detyrës, duke cënuar ligjshmërinë dhe transparencën e procesit.
Në arsyetimin e vendimit, KPMSHCK ka cituar edhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme (P.A.nr.07/2025), sipas të cilit “çdo vendim i marrë nga një ushtrues detyre pas skadimit të afatit ligjor është i pavlefshëm” dhe praktika e tillë “dëmton ligjshmërinë dhe krijon precedent të rrezikshëm për administratën publike”.
Me vendimin e tij, KPMSHCK ka urdhëruar sekretarin e përgjithshëm të MMPHI-së që të anulojë menjëherë të gjitha procedurat e ristrukturimit të bazuara në veprime të jashtëligjshme dhe të raportojë me shkrim për hapat e ndërmarrë.
Burimi: Demokracia.com