Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 20 gusht 2025, rreth orës 20:15, është realizuar me sukses ekstradimi nga Italia në Kosovë i të dënuarit F.Xh., 34 vjeç, nga fshati Mushtisht, Komuna e Suharekës, i cili kishte qëndrim të përkohshëm në Itali.
Ekstradimi u krye në bazë të Urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, sipas nenit 146 lidhur me nenin 20 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I njëjti, me aktgjykim të plotfuqishëm të datës 16 shkurt 2019, ishte dënuar me 20 muaj burg, por i ishte shmangur vuajtjes së dënimit.
I ekstraduari është pranuar nga zyrtarët e Stacionit Policor Suharekë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë dhe më pas është dërguar në Qendrën e Paraburgimit.
Policia e Kosovës falënderon autoritetet italiane për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe riafirmon përkushtimin për zbatimin e urdhër-arresteve dhe procedurave ligjore, në funksion të drejtësisë dhe sigurisë publike.