Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi në kërkim në qytetin e Prizrenit, i cili ishte dënuar me mbi tre vite burg për veprën penale të vjedhjes.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 21 gusht 2025, rreth orës 22:35, kur njësia e inteligjencës, pas një informacioni operativ, ka lokalizuar të dyshuarin në një kafiteri në Prizren. Personi i arrestuar është K.T., 26 vjeçar nga Prizreni, i cili kishte dy urdhër-arreste aktive të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prizren, për të vuajtur dënimin prej 3 vite e 25 ditësh burgim.
Gjatë tentativës për identifikim, i dyshuari ka provuar të largohet me vrap, por është ndaluar menjëherë nga zyrtarët policorë. Ai është shoqëruar në stacionin policor dhe më pas është dërguar në institucionin korrektues për të vuajtur dënimin e shqiptuar me aktgjykim të plotfuqishëm.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e urdhëresave gjyqësore dhe në garantimin e sundimit të ligjit në vend.