Real Madridi po synon të përforcojë mesfushën këtë verë, pas disa afrimeve të rëndësishme në mbrojtje si Trent Alexander-Arnold, Dean Huijsen dhe Alvaro Carreras, si dhe nënshkrimit me Franco Mastantuono nga River Plate për repartin ofensiv.
Sipas Diario AS, në qendër të vëmendjes së madrilenëve është mesfushori i Crystal Palace, Adam Wharton, i cili shihet si zëvendësuesi ideal për boshllëkun e lënë nga Toni Kroos dhe Luka Modric. Xabi Alonso, trajneri i ri i Realit, raportohet se ka kërkuar nga drejtuesit e klubit një lojtar me tipare organizatori, të aftë të diktojë ritmin e lojës.
Wharton, vetëm 21 vjeç, është një nga talentet më të vlerësuar në Premier Ligë. Përveç Realit, interes për të kanë shfaqur edhe Manchester United, Manchester City dhe Liverpool, megjithëse United shihet si rivali më serioz.
Crystal Palace nuk pritet ta lëshojë lehtë lojtarin, me raportime që sugjerojnë se vetëm një ofertë mbi 120 milionë £ (162 milionë dollarë) mund ta bindë klubin londinez.
I rritur te Blackburn Rovers dhe transferuar te Palace në shkurt 2024, Wharton u bë pjesë e Anglisë në Euro 2024, edhe pse nuk pati minuta në fushë. Me vizionin e tij, pasimet progresive dhe aftësitë në kontrollin e lojës, ai shihet si një investim afatgjatë që mund t’i japë Real Madridit stabilitet në mesfushë.