Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka konfirmuar se aktualisht po heton 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë tre deputetë, një ish-deputet dhe një ish-ministër. Hetimet lidhen me veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.
Në përgjigje të interesit të gazetarëve, SPAK ka sqaruar se një ish-ministër është nën hetim, ndërsa emrat konkretë nuk janë bërë publikë për shkak të sekretit hetimor.
Asnjë nga deputetët e rinj nën hetim
Në lidhje me listën e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, SPAK ka bërë të ditur se asnjëri prej tyre nuk është regjistruar deri tani si i hetuar në regjistrin e veprave penale.
Hetime me ndihmën e aplikacioneve të enkriptuara
SPAK ka konfirmuar gjithashtu se gjatë periudhës 2022–2024 janë dërguar letërporosi ndërkombëtare për sigurimin e provave shtesë, veçanërisht nga aplikacionet e enkriptuara Sky ECC, EncroChat dhe ANOM, të përdorura nga rrjete kriminale për komunikime të fshehta. Ky bashkëpunim ka ndihmuar në zbardhjen e një sërë çështjesh të rënda në Shqipëri dhe Europë.
Hetimet për krimet zgjedhore
Një tjetër fokus i SPAK gjatë periudhës raportuese ka qenë krimi zgjedhor. Sipas të dhënave zyrtare, janë administruar 193 kallëzime, nga të cilat 43 janë regjistruar si procedime penale.
Nga këto:
-
22 procedime u iniciuan nga Policia e Shtetit,
-
1 nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve,
-
9 nisën kryesisht nga SPAK,
-
3 nga kallëzimet e qytetarëve,
-
3 nga Prokuroritë e rretheve,
-
4 nga subjektet politike,
-
1 nga një procedim tjetër penal.
Aktualisht, 39 procedime janë ende në hetim, ndërsa një dosje ka shkuar për gjykim. Veprat më të shpeshta lidhen me korrupsionin aktiv në zgjedhje (neni 328), i cili përbën shumicën e procedimeve.