Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, duke përdorur rrjetet sociale për të sqaruar çështjen e pensioneve për kategoritë e luftës dhe rritjen e buxhetit të FSK-së.
Murati theksoi se gjatë periudhave të qeverisjes së PDK-së, nuk ka pasur rritje të dukshme të pensioneve për veteranët, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve.
“Herën e fundit kur PDK ka qeverisur me vendin, me koalicionin PAN gjatë 2017–2020, pensionet për veteranët, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë rritur 0 euro”, shkroi Murati.
Ai kujtoi se edhe në qeverisjen paraprake, gjatë koalicionit PDK-LDK (2014–2017), ishte fshirë neni 18 i ligjit që e lidhte pensionin e veteranëve me pagën minimale, kërkesë që sipas tij kishte ardhur nga FMN-ja për shkak të abuzimeve me listat e veteranëve.
“Ndërkaq pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës asnjëherë s’kanë qenë të lidhura me pagën minimale, por kjo e dëshmon se sa pak din Abelard Tahiri për këtë temë”, shtoi ai.
Murati theksoi se gjatë mandatit të tij si ministër, pensionet për kategoritë e luftës janë rritur për së paku 20%. Po ashtu, sipas tij, është katërfishuar buxheti i FSK-së, duke arritur për herë të parë përmbushjen e kriterit të NATO-s prej 2% të BPV-së.
“Këto janë faktet”, përmbylli reagimin Murati.