Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bërë të ditur se gjatë javëve të fundit ka ofruar ndihmë konkrete në shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit, me kërkesë të institucioneve të Kosovës përmes Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave.
Ndihma ka përfshirë aktivitete zbulimi dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta, ku një rol të veçantë ka pasur Aviacioni i Task Forcës Amerikane, i caktuar në Komandën Rajonale të Lindjes. Ky ekip ka realizuar disa operacione nga ajri për të ndihmuar në lokalizimin dhe shuarjen e flakëve.
Operacionet e realizuara nga KFOR:
-
Gjakovë (18 gusht): 12 shkarkime uji brenda 5 orëve;
-
Kamenicë (11 gusht): 11 ndërhyrje gjatë një fluturimi 6-orësh;
-
Mitrovicë (26 korrik): 18 operacione ajrore për 4 orë;
-
Drenas (25 korrik): 39 ndërhyrje për një periudhë 20-orëshe.
Në njoftimin e saj, KFOR ka theksuar se mbetet e gatshme, brenda kapaciteteve dhe mjeteve që ka në dispozicion, të mbështesë parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente në Kosovë.
Ky angazhim vjen si pjesë e mandatit të KFOR-it për të kontribuar në siguri dhe stabilitet në vend, duke asistuar autoritetet vendore edhe në raste emergjencash natyrore.