Me vetëm katër muaj të mbetur nga fundi i kalendarit të boksit për vitin 2025, gara për çmimin “Luftëtari i Vitit” mbetet e hapur. Deri më tani, ka pasur disa performanca mbresëlënëse – nga dominimi i Oleksandr Usyk kundër Daniel Dubois, te hakmarrja e Dmitry Bivol ndaj Artur Beterbiev – por ende mungon një emër që të distancohet qartë nga rivalët.
Terence Crawford: Sfida e madhe ndaj Canelo Alvarez
Të gjithë sytë janë tek Terence Crawford, i cili më 13 shtator do të përballet me Canelo Alvarez në Las Vegas për titullin e padiskutueshëm në peshën super të mesme. Nëse 38-vjeçari arrin ta mposhtë legjendën meksikane, ai jo vetëm që do të shkruajë historinë si kampion i padiskutueshëm në tre kategori, por do të bëhej favorit i qartë për çmimin e vitit.
Rolly Romero: Mundësia e artë kundër Pacquiao
Pas fitores surprizë ndaj Ryan Garcia, Rolando “Rolly” Romero synon një duel historik me Manny Pacquiao. Një triumf ndaj legjendës filipinase, që kërkon të rikthehet si kampion edhe në moshën 47-vjeçare, do ta vendoste Romeron fuqishëm në garë për çmimin.
Katie Taylor: Një trilogji për historinë
Kampionja e padiskutueshme Katie Taylor pritet të zhvillojë një ndeshje të tretë ndaj Chantelle Cameron, e vetmja që e ka mposhtur ndonjëherë. Një fitore bindëse do ta kthente Taylor në krye të diskutimeve për “Luftëtaren e Vitit”.
Naoya Inoue: Përbindëshi që nuk ndalet
Me tre fitore të mëdha këtë vit, Naoya “Monster” Inoue do të kërkojë një tjetër sukses kundër Murodjon Akhmadaliev në shtator dhe mund të rikthehet sërish në dhjetor. Nëse mbyll vitin me katër fitore dhe nokautë, ai do të ishte një pretendent serioz.
Moses Itauma: Fenomeni 20-vjeçar
Vetëm 20 vjeç, Moses Itauma ka bërë bujë të madhe duke nokautuar Dillian Whyte në raundin e parë. Një duel ndaj një prej 10 më të mirëve të peshave të rënda dhe një tjetër fitore e madhe mund ta katapultojë drejt fronit.
Boksierët e tjerë në garë
-
Jesse “Bam” Rodriguez synon të bëhet kampion i padiskutueshëm në peshat e vogla, me një duel ndaj Fernando Martinez në nëntor.
-
Shakur Stevenson ka shënuar dy fitore dominuese këtë vit dhe kërkon një sfidë të madhe për t’u futur në garë, qoftë në 135 apo 140 paund.
Pritja për duelin vendimtar
Në muajt e mbetur, përballjet e mëdha pritet të përcaktojnë kush do të marrë titullin prestigjioz të vitit 2025. Do të jetë eksperienca e Crawford, rinia e Itauma-s, apo dominimi i pandalshëm i Inoue?
Një gjë është e sigurt: fundi i këtij viti do të jetë i zjarrtë për botën e boksit.