Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka zhvilluar një bisedë me homologët e tij evropianë lidhur me përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ka njoftuar Departamenti i Shtetit të hënën mbrëma.
Në komunikim me Rubion morën pjesë sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, si dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Ministri ukrainas Andrii Sybiha shprehu mirënjohjen e tij ndaj Rubios për angazhimin e tij diplomatik dhe ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, për, siç tha ai, “udhëheqjen drejt paqes”.
“Unë përsërita qëndrimin e Ukrainës se garancitë e sigurisë duhet të jenë konkrete, juridikisht detyruese dhe efektive. Ato duhet të jenë shumëdimensionale, duke përfshirë nivele ushtarake, diplomatike, juridike dhe të tjera”, shkroi Sybiha në platformën X.
Ai theksoi se ushtria ukrainase mbetet themeli i çdo garancie sigurie, duke nënvizuar se forcimi i saj është prioriteti kryesor i vendit.
Ndërkohë, presidenti Trump, pas takimeve të ndara me presidentin rus Vladimir Putin, presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe liderët evropianë, ka autorizuar Rubion të udhëheqë bisedimet për ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën.