Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka reaguar ashpër ndaj kritikave të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, lidhur me çështjen e antisemitizmit në Francë. Në një letër publike, Macron e cilësoi të papranueshme retorikën e Netanyahut, duke theksuar se këto akuza përbëjnë fyerje për Francën dhe përpjekjet e saj kundër antisemitizmit.
“Këto akuza për mosveprim përballë një plagë që po e luftojmë me të gjitha forcat tona janë të papranueshme dhe një fyerje për Francën”, shkroi Macron në letrën e publikuar nga disa media franceze.
Ai nënvizoi se beteja kundër antisemitizmit nuk duhet të përdoret si armë politike dhe se nuk do të lejohet të shndërrohet në burim përçarjeje mes Francës dhe Izraelit. Macron gjithashtu i bëri thirrje Netanyahut që të përfundojë luftën në Gaza, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri për paqen dhe stabilitetin.
Kujtojmë se një javë më parë Netanyahu kritikoi Parisin për vendimin që të njohë Palestinën si shtet. Ai e akuzoi Macronin se me këtë hap po inkurajon antisemitizmin, i cili sipas tij është rritur ndjeshëm në Francë pas këtij njoftimi.