Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, ka prezantuar të martën Sfidën Presidenciale të Inteligjencës Artificiale (IA), një konkurs kombëtar i mbështetur nga Shtëpia e Bardhë që fton nxënësit nga kopshti deri në klasën e 12-të të përdorin teknologjinë e IA-së për të zgjidhur probleme të komunitetit.
Iniciativa, e shpallur përmes një video-mesazhi zyrtar, synon të përgatisë gjeneratën e re amerikane për një të ardhme të formuar nga inteligjenca artificiale. Konkursi rrjedh nga një urdhër ekzekutiv i Presidentit Donald Trump për avancimin e edukimit në këtë fushë.
“Si dikush që ka krijuar një libër audio me IA dhe ka mbështetur sigurinë në internet përmes Aktit Take It Down, e kam parë nga afër fuqinë e kësaj teknologjie. Tani, po ua kaloj pishtarin e inovacionit të rinjve,” u shpreh Melania Trump.
Sipas rregullave, studentët duhet të formojnë ekipe, të punojnë me një mentor dhe të zhvillojnë aplikacione, faqe interneti apo zgjidhje të tjera për sfidat lokale. Regjistrimi është hapur dhe projektet duhet të dorëzohen deri në dhjetor.
Çmimet dhe fazat e garës
Çdo ekip që merr pjesë do të pajiset me Certifikatë Presidenciale Pjesëmarrjeje. Fituesit në nivel shtetëror do të marrin Certifikatë Arritjeje, kredite cloud dhe qasje në burime online. Fituesit rajonalë, përveç këtyre, do të ftohen në një ngjarje tre-ditore në Uashington, ku projektet e tyre do të prezantohen në Shtëpinë e Bardhë.
Në nivel kombëtar, kampionët do të marrin Çmimin Presidencial, kredite cloud dhe 10,000 dollarë. Për fituesit e shkollës fillore, shuma shkon për shkollën ose grupin komunitar, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme dhe të larta marrin nga 10,000 dollarë personalisht. Po aq do të shpërblehen edhe edukatorët e përfshirë.
Pjesë e strategjisë kombëtare për IA
Drejtori i Zyrës së Shkencës dhe Teknologjisë së Shtëpisë së Bardhë, Michael Kratsios, tha se synimi është që fëmijët të ndihen të aftë dhe të sigurt në përdorimin e IA-së. “Gama e projekteve është e pafundme,” theksoi ai.
Kjo sfidë është pjesë e një strategjie më të gjerë të administratës Trump për të vendosur SHBA-në si lidere globale në inteligjencën artificiale. Presidenti Trump ka prezantuar më herët planin “Fitorja e Garës: Plani i Veprimit të IA-së së Amerikës”, duke lehtësuar rregulloret për inovacion dhe duke rritur investimet në teknologji.
Melania Trump është angazhuar personalisht në këtë drejtim, duke promovuar ligjin Take It Down kundër shfrytëzimit seksual dhe deepfake-ve, si dhe duke publikuar kujtimet e saj në formë libri audio të krijuar plotësisht nga IA.
Sfida do të zgjasë gjatë vitit shkollor, me faza shtetërore dhe rajonale, ndërsa kampionët kombëtarë do të shpallen në qershor të vitit të ardhshëm.