Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku një e re ka humbur jetën tragjikisht në poligonin e qitjes “Fazani-S”.
Viktima është identifikuar si Lindore Sejdiu, 24 vjeçare, e cila rreth orës 19:20 është plagosur me armë zjarri në pjesën abdominale. Pavarësisht se është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), mjekët nuk kanë arritur ta shpëtojnë dhe ajo ka ndërruar jetë rreth orës 22:00.
Në vendngjarje kanë dalë njësitet e hetimeve rajonale dhe forenzika. Fillimisht, prokurori i krimeve të rënda e ka cilësuar rastin si “vetëvrasje”, por pas veprimeve të mëtejshme hetimore, është marrë vendim për arrestimin e pronarit të poligonit, Hashim Rexhepi, 55 vjeç. Ai është dërguar në ndalim për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasojë vdekje”.
Hetimet për këtë rast tragjik po vazhdojnë, ndërsa autoritetet premtojnë se do të zbardhin plotësisht rrethanat.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

