Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka uruar nxënësit për një vit të mbarë, të suksesshëm dhe plot ngjyra.
“Mirëmëngjesi nxënës të dashur. Kryeqyteti ju uron një vit mësimor të suksesshëm, të mbarë e plot ngjyra”, ka shkruar Rama në një postim në rrjetet sociale.
Në të njëjtën ditë, ai ka shprehur falënderime të veçanta për punëtorët e Kuzhinës Qendrore, të cilët, sipas tij, me punën dhe përkushtimin e tyre, kontribuojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e nxënësve.
“Ju jeni ata që, me mundin, djersën dhe dashurinë tuaj, e ktheni punën në mision. Me fillimin e vitit të ri mësimor fillon edhe puna juaj për fëmijët tanë nëpër shkolla. Çdo pjatë që përgatitni është një bekim, një garanci që fëmijët tanë rriten të shëndetshëm e me buzëqeshje”, ka theksuar kryetari i Prishtinës.
Rama ka falënderuar drejtorin, menaxhmentin dhe gjithë stafin e Kuzhinës Qendrore, duke i quajtur “krah i heshtur, por i pazëvendësueshëm i Kryeqytetit”.
Ai ka shtuar se Prishtina synon të shkojë “përtej modeleve të vjetruara të arsimit”, duke paralajmëruar përkushtim më të madh për modernizimin e sistemit arsimor në kryeqytet.