Gjykata Supreme e Kosovës ka dalë me një kundër-reagim pas deklaratave të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i cili gjatë mbledhjes së KQZ-së ka përdorur, sipas gjykatës, “gjuhë të papranueshme” ndaj institucionit dhe gjyqtarit Zenel Leku.
Në reagim, Gjykata Supreme shpreh “shqetësim të thellë” për sulmet e Krasniqit, duke theksuar se një qasje e tillë përbën “sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë”.
“Lakimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi”, thuhet në reagim.
Gjykata e cilësoi të papranueshme “shpikjen e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të figurave të gjyqtarëve”, veçanërisht në një institucion si KQZ, ku pritet maturi, qartësi dhe respekt.
Tutje, Gjykata Supreme rikujtoi se në një shtet demokratik është gjyqësori ai që garanton barazinë dhe drejtësinë zgjedhore, ndërsa çdo përpjekje për ta diskredituar një gjyqtar të instancës më të lartë gjyqësore “është e dëmshme dhe e papranueshme për gjykatën, gjyqtarin dhe shoqërinë”.
Në fund, Gjykata Supreme nënvizoi se vendimet e saj bazohen gjithmonë në Kushtetutë dhe ligj, duke theksuar se “asnjëherë nuk do të jetë në shërbim të politikave ditore”.