Presidenti i Kinës, Xi Jinping, e mirëpriti homologun e tij rus, Vladimir Putin, si një “mik të vjetër” gjatë takimeve të tyre të së martës, në një periudhë kur të dy vendet përballen me sfida të përbashkëta dhe të ndryshme ndaj Shteteve të Bashkuara.
Putin e quajti Xi-n “mik i dashur” dhe theksoi se marrëdhëniet mes Moskës dhe Pekinit kanë arritur “në një nivel të paparë”. Pas bisedimeve zyrtare, të dy udhëheqësit planifikuan një takim të dytë joformal gjatë çajit, së bashku me ndihmësit kryesorë.
Vizita ndodhi një ditë pas samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) në Tianjin dhe një ditë para paradës së madhe ushtarake në Pekin, për 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Putin theksoi: “Ne ishim gjithmonë bashkë atëherë, mbetemi bashkë edhe tani.”
Kina mban qëndrim neutral për luftën në Ukrainë, por ka ofruar mbështetje ekonomike për Rusinë përmes tregtisë, pavarësisht sanksioneve perëndimore. Disa kompani kineze janë akuzuar për ndihmë indirekte në industrinë ushtarake ruse.
Në margjinat e samitit, Xi dhe Putin zhvilluan takime të ndara me kryeministrin indian Narendra Modi, i cili nuk mori pjesë në paradën ushtarake kineze. Po ashtu, ata zhvilluan një takim trepalësh me presidentin e Mongolisë, Khurelsukh Ukhnaa, ku u theksua rëndësia e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit ekonomik.
Putini kujtoi vizitën e tij të vitit 2024 në Mongoli, kur autoritetet atje refuzuan të zbatojnë urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për arrestimin e tij lidhur me krimet e luftës të dyshuara nga pushtimi i Ukrainës.