Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka refuzuar ftesën e homologut rus Vladimir Putin për një takim në Moskë, duke shkaktuar reagime nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov theksoi se ftesa nuk kishte të bënte me “dorëzim”, por me nisjen e bisedimeve për një marrëveshje.
“Presidenti Putin e ftoi Zelenskyn në Moskë për të filluar dialogun, jo për t’u dorëzuar,” deklaroi Peskov. Ai shtoi se zgjedhja e Moskës si vend takimi ishte propozim i Putinit, por që Zelensky e kishte refuzuar personalisht përmes ministrit të tij të Jashtëm.
Zelensky: “Takim i nevojshëm, por jo në Moskë”
Refuzimi i Zelenskyt erdhi pas konferencës së tij të përbashkët me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris. Kreu i shtetit ukrainas u shpreh se një takim me Putinin është i domosdoshëm, por jo i pranueshëm që të mbahet në Moskë.
Debati mbi garancitë e sigurisë
Peskov riktheu në vëmendje edhe çështjen e garancive të sigurisë për Ukrainën nga SHBA dhe vendet evropiane.
“A mund të garantojnë të huajt, veçanërisht kontingjentet ushtarake amerikane dhe evropiane, sigurinë e Ukrainës? Absolutisht jo,” tha ai, duke shtuar se një zgjidhje e tillë nuk do t’i përshtatej interesave të Rusisë.
Përfshirja e SHBA-ve
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se pas bisedës së zhvilluar me Zelenskyn, pritet të flasë edhe me Putinin.
“Do të flas me Putinin, do të kemi një dialog të mirë,” u shpreh Trump.