Skandali i pesticideve në produktet shqiptare po zgjerohet. Pas domateve dhe pjeshkëve të bllokuara në Kroaci, tani edhe specat e kuq të eksportuar nga Shqipëria drejt Sllovenisë janë tërhequr me urgjencë nga tregu për shkak të nivelit të lartë të pesticideve.
Kompania Geaprodukt në Slloveni ka urdhëruar tërheqjen e produktit shqiptar, pasi analizat zbuluan mbetje të rrezikshme si acetamiprid, formetanate dhe flonicamid. Specat ishin eksportuar nga data 24 gusht deri më 4 shtator, të paketuar fillimisht në kuti kartoni dhe më pas në qese plastike.
Autoritetet sllovene paralajmëruan qytetarët që të mos i konsumojnë specat shqiptarë, por t’i kthejnë në vendin e blerjes ose t’i hedhin menjëherë. Për më tepër, këshilluan që ata që kanë qenë në kontakt me produktin e kontaminuar të dezinfektojnë duart, duke theksuar rrezikun e lartë për shëndetin.
Rastet e fundit nuk janë të izoluara. Vetëm disa ditë më parë, Kroacia asgjësoi 4 tonë domate shqiptare, pasi u trajtuan pesë herë mbi normën e lejuar me insekticidin e rrezikshëm chlorfenapyr. Ndërkohë, më 22 gusht, shteti kroat groposi 5 tonë pjeshkë nga Divjaka, pasi u zbulua prania e lartë e metalit të rëndë, nikel.
Këto zhvillime e thellojnë krizën e sigurisë ushqimore dhe vënë në pikëpyetje serioze standardet e prodhimit bujqësor në Shqipëri, duke rrezikuar besueshmërinë e eksporteve në tregjet evropiane.

